Moti i keq ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona të qarkut të Lezhës, ndërsa më e goditura rezulton të jetë zona e Zhejës në Kurbin.

Vërshimi i ujërave malorë ka përmbytur banesa dhe biznese, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Rrugë nën ujë, toka të përmbytura, banesa nën rrezik, madje uji ka vërshuar edhe nëpër lokale. Dëme të shumta materiale edhe në mjete e pajisje bujqësore, prodhime dhe materiale për banorët e ultësirës.

Raportohet se edhe një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dëmtuar si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit. Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Mailinda Cara, ka deklaruar se mjetet dhe ekipet e bashkisë ndodhen aktualisht në terren për të menaxhuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.