Deputeti demokrat, Dashnor Sula gjithmonë di të tërheqë vëmendjen para nisjes së seancave plenare.

Edhe ditën e sotme, ai është paraqitur në Kuvend me një tabelë me çmimet e ushqimeve bazë të shportës, teksa sot pritet të votohet buxheti i vitit 2025.

Kujtojmë se në seancën e sotme, që konsiderohet ndër më të rëndësishmet e aktivitetit parlamentar, Berisha rikthehet pas gati 1 viti mungesë për shkak të arrestit shtëpiak dhe akuzave në dosjen e aferës “Partizani”. Buxhetin prej 8.2 mld eurosh, opozita e ka konsideruar si draftin e vjedhjeve të mëdha. Tashmë në liri, Sali Berisha, teksa një ditë para njoftoi edhe 2 amendamente në buxhet me firmën e tij, paralajmëroi dje rikthim të fuqishëm në Parlament.

“Ju jeni dëshmitarë se si dritarja zëvendësoi Parlamentin dhe Edi Rama në fjalimet e tij shprehte vrerin e papërmbajtur ndaj dritares. Kështu që unë kthehem nesër në Parlament, në vazhdim të betejës sime gjer në fitore. Kjo është!”, shprehet lideri demokrat.