Gjykata e Apelit në Tiranë ka pezulluar sot të gjithë gjyqet që ishin planifikuar të mbaheshin, një ditë pas masakrës që tronditi vendin. Një i ri qëlloi me armë zjarri brenda sallës së gjyqit gjyqtarin Astrit Kalaja.
Flamuri që qëndron në fasadën e godinës së institucionit të drejtësisë, është ulur në gjysmështizë, në shenjë respekti për të kujtuar gjyqtarin e ndjerë, që humbi jetën në krye të detyrës.
Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, një heshtje ka ‘mbuluar’ Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Në fotot e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shihet gjykata bosh.
Gjyqtari 62-vjeçar Astrit Kalaja, që u qëllua për vdekje në krye të detyrës, gjatë një procesi gjyqësor brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, shërbeu për më shumë se tri dekada në sistemin e drejtësisë.