I shoqëruar nga forca të shumta policore dhe nën masa të forta sigurie, Ilir Selmanaj është paraqitur sërish në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po vijon procesi ndaj tij për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Selmanaj, i cili akuzohet si pjesëtar i grupit kriminal të njohur si klani “Duka”, ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi kanë përfunduar afatet maksimale të paraburgimit. Çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit, ku ai është dënuar më herët me 26 vite burg.

Paraqitja e tij në gjykatë vjen vetëm pak kohë pasi u bë objekt i një atentati pranë banesës ku jeton. Pas këtij incidenti, autoritetet kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë gjatë çdo lëvizjeje të tij.

Dosja lidhet me ekzekutimin e Santiago Malkos, një nga atentatet më të bujshme të viteve të fundit në Tiranë. Malko konsiderohej person i afërt me Ervis Martinajn, për fatin e të cilit ende nuk ka një përgjigje zyrtare.

Si ndodhi atentati?

Santiago Malko u vra mbrëmjen e 27 gushtit 2019, në zonën e Xhamllikut në Tiranë, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip BMW X5. Ish-efektivi i policisë ishte një emër i njohur për autoritetet, pasi ishte përmendur në disa hetime penale, ndërsa në një periudhë kishte punuar edhe në administratën shtetërore.

Për atentatin, Prokuroria e Posaçme ngriti akuza ndaj tetë personave, duke identifikuar si organizatorë kryesorë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Sipas organit të akuzës, pjesë e grupit kriminal janë Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmanaj, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica, të cilët akuzohen se kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e vrasjes.