Personi që shihni në foto, është autori i vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Xibër të bashkisë Klos.

28-vjeçari Hazbi Velsula, masakroi me mjet prerës kushëririn e tij Selim Velsula, i cili nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra duke humbur jetën. Selim Velzula u gjet i pajetë nga një banor i fshatit, i cili lajmëroi bashkëshorten e tij dhe më pas policinë. Pranë trupit të pajetë, u gjet edhe thika me të cilën kushëriri i kishte marrë jetën.

Ndërkohë, Hazmi Velzula kishte arritur të arratisej, por u arrestua mëngjesin e sotëm, në zonën e Alliasit në Tiranë.

Ende nuk dihen shkaku i këtij krimi, teksa është mësuar se viktima jetonte prej vitesh në fshat së bashku me bashkëshorten e tij dhe kishte një jetë të qetë. Rreth orës 16:00, ai i kishte kërkuar gruas që ta ndihmonte për të nxjerrë bagëtinë në pronat e tyre mbi fshat. Pasi kishte nxjerrë bagëtitë, ai është kthyer për të marrë një shishe me ujë dhe ishte afruar sërish në zonën ku mbante bagëtinë.

Në ato momente, sipas informacioneve të para, kushëriri i tij, 28-vjeçari Hazbi Velsula, i cili prej vitesh jetonte në zonat rurale të Tiranës, por kohët e fundit ishte rikthyer në pronat familjare në Xibër, i kishte bërë thirrje viktimës të afrohej, duke i thënë se kishte “një muhabet”. Në atë moment, dyshohet se e ka sulmuar me thikë disa herë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Selim Velsula ka rënë menjëherë në tokë nga goditjet, ndërsa autori është larguar nga vendngjarja. Viktima, edhe pse i plagosur rëndë, ka tentuar të kthehet drejt banesës, por nuk ia ka dalë.

Mësohet po ashtu se Hazbi Velsula, pas krimit ka telefonuar motrën e tij, duke i thënë: “E bëra vrasjen me mjet prerës.” Motra ka njoftuar policinë dhe forcat e policisë kanë rrethuar zonën ku ishte fshehur autori. Dyshohet se autori i ngjarjes vuante nga probleme të shëndetit mendor.