Një 52-vjeçar shqiptar, Valentin Ftoni, i dënuar dy herë me nga 25 vite burg për vrasjen e tre personave në Shkodër, është arrestuar në Nju-Jork pas më shumë se dy dekadash në kërkim ndërkombëtar.

Kapja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe tri agjencive federale amerikane. Sipas policisë, ai dyshohet se ka përdorur dokumente dhe identitete të rreme për të hyrë dhe qëndruar në SHBA.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, ka siguruar edhe fotografinë e Valentin Ftonit, se si duket pas 25 vitesh në arrati. Deri më tani nuk ekzistonte asnjë identikit i 52-vjeçarit.

Autoritetet shqiptare po punojnë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë për veprat penale për të cilat është dënuar.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Finalizohet një tjetër fazë e bashkëpunimit ndërkombëtar me agjencitë ligjzbatuese amerikane

Arrestohet në Nju-Jork një 52-vjeçar, i dënuar në Shqipëri dy herë me nga 25 vjet burgim, për vrasjen e 3 shtetasve në Shkodër.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve ligjzbatues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ndaluar në Nju-Jork, SHBA, shtetasi shqiptar Valentin Ftoni, 52 vjeç.

Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë për Krimet e Rënda dhe Njësisë së Përbashkët të Shërbimeve Investigative, në bashkëpunim me agjencinë federale amerikane DSS/OCIU, të pranishme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ka koordinuar në vazhdimësi veprimet me dy agjenci të tjera federale amerikane, USMS (Shërbimi i Marshallëve të Shteteve të Bashkuara) dhe ICE (Agjencia e Emigracionit dhe Doganave), për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Valentin Ftoni.

Pas një pune të gjatë hetimore dhe bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Policisë së Shtetit dhe tri agjencive federale amerikane, u bë i mundur identifikimi dhe lokalizimi në SHBA i këtij shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001, pasi është dënuar dy herë me nga 25 vjet burgim për 3 vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës.

Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, shtetasi Valentin Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin e SHBA-së. Gjithashtu, dyshohet se në këtë shtet ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.

Më datë 28.09.2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 19.09.2000, në Ças, Velipojë, ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje.

Gjithashtu, më datë 18.11.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 12.08.2001 ka vrarë shtetasin G. T.

Policia e Shtetit vijon punën intensive, në koordinim me agjencitë ligjzbatuese amerikane, për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, me qëllim përballjen me drejtësinë shqiptare për veprat penale për të cilat është dënuar.

Ky rast dëshmon edhe një herë përkushtimin e Policisë së Shtetit për forcimin e bashkëpunimit hetimor ndërkombëtar dhe koordinimin e veprimeve me partnerët strategjikë në luftën kundër kriminalitetit. Policia e Shtetit shpreh mirënjohjen për partnerët në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri dhe agjencitë ligjzbatuese amerikane për bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë rast dhe në operacione të tjera të përbashkëta.