Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë ditën e sotme zonën në Plan të Bardhë të Bashkisë Klos, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe duke u përhapur edhe në një pjesë pyjore.

Siç shihet edhe nga pamjet, flakët e mëdha, të favorizuara nga era, kanë përfshirë me shpejtësi terrenin, ndërsa zjarri ka shkrumbuar edhe një pjesë të shpatit të malit ku ndodhen disa ndërtesa. Ende nuk dihet nëse këto objekte janë të banuara. Situata paraqitet problematike, pasi flakët kanë arritur deri pranë aksit rrugor Klos-Bulqizë dhe pranë telave të tensionit të lartë të energjisë elektrike. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit.