Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së Sibela Abedini vijon të mbetet një nga rastet më të ndjeshme, me zhvillime që kanë thelluar misterin rreth saj.
Fillimisht, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Altin Çokun, i dyshuar për shpërndarjen e një fotografie intime të të resë. Sipas Prokurorisë, ky veprim i kishte shkaktuar viktimës një gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, duke ndikuar në aktin ekstrem.
Edhe pse Çoku i mohoi akuzat, duke pretenduar se publikimi ishte kryer nga një person tjetër, provat e administruara përfshirë telefonin e tij dhe mesazhet e viktimës që kërkonte fshirjen e imazhit bindën gjykatën për ta lënë në burg deri në përfundim të hetimeve.
27-vjeçarja humbi jetën pasi u hodh nga kati i katërt i një pallati në Kamëz. Ajo ishte nënë e një vajze 2-vjeçare dhe kishte kaluar një periudhë të vështirë personale, pasi ishte rikthyer pranë familjes pas problemeve bashkëshortore.
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë kundërshtuar versionin zyrtar, duke pretenduar se ajo nuk i dha fund jetës vetë, por se ishte viktimë e një krimi. Sipas tyre, presioni psikologjik, dhuna morale dhe një formë e vazhdueshme persekutimi çuan në këtë tragjedi, duke drejtuar akuzat ndaj Çokut dhe duke kërkuar drejtësi të plotë.
Ngjarja mori një tjetër kthesë pas vendimit përfundimtar të gjykatës, e cila e dënoi Altin Çokun me 6 vite burg për veprën penale “shkaktim vetëvrasjeje”, duke e konsideruar përgjegjës për pasojat fatale pas publikimit të materialit intim.
Së fundmi, motra e viktimës, Renata Abedini, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, ka ndarë detaje të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes.
“Ishim në shtëpi, unë mami motra dhe mbesa. Mami ishte në gjumë, unë dhe motra jo. Po rrija në telefon ndërsa Sibela po pinte cigare e merzitur. E pyeta çfarë kishte më tha më mirë do të bëhet. Mori një cigare dhe doli ta pinte në korridor por po vonohej. Vëllai erdhi dhe më pyeti ku është motra pasi nuk e kishte parë në korridor. Kur dolëm pamë trupin e saj poshtë, aty ishin mbledhur shumë njerëz.
Ajo foto ishte montazh, motra ime ishte e dobët, nuk ishte e shëndoshë. Edhe flokët i ka pasur të zeza, jo si në fotoi. Ajo në foto nuk është Sibela.
Kur e gjetëm, ishte gjallë merrte frymë, ishte e gjakosur, nuk fliste dot por vetëm qante nga dhimbjet që kishte”, tha ajo.
