Të rinjtë që prej ditësh protestojnë në Tiranë kanë përcjellë pakënaqësitë e tyre edhe përmes mesazheve të shkruara në muret e kryeqytetit.

“Nuk duam të ikim, ikni ju!”, “Nuk ka shtet” dhe “Ky është fundi” janë disa nga parullat që pasqyrojnë revoltën e tyre ndaj politikës dhe situatës në vend.

Përmes këtyre grafiteve, protestuesit kundërshtojnë largimin e të rinjve nga Shqipëria dhe kërkojnë ndryshime, duke u drejtuar mesazhe të drejtpërdrejta përfaqësuesve të politikës.

Protesta, ku janë bashkuar studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të tjerë, vijon në ditën e katërt në Tiranë. Mes kërkesave kryesore të demonstruesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.