Fotoreporteri francez Antoni Lallican është vrarë nga një dron në Ukrainë. Lajmin e kanë bërë të ditur Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Gazetarëve (IFJ-EFJ), të cilat shprehën ngushëllimet e tyre për familjen dhe të afërmit e Lallican.

Në një deklaratë, federatat “dënojnë këtë krim lufte dhe kërkojnë nga autoritetet që të nisin një hetim për të identifikuar përgjegjësit”. Ky është rasti i parë kur një gazetar vritet nga një dron në Ukrainë.

Rrethanat e ngjarjes, e cila ndodhi të premten në mëngjes, në orën 9:20 me orën lokale, janë ende objekt hetimi. Një gazetar ukrainas, Heorgiy Ivanchenko, mbeti i plagosur në të njëjtin sulm.

Të dy gazetarët mbanin pajisje mbrojtëse dhe jelekë antiplumb me mbishkrimin “Press”. Lallican, banues në Paris, ndodhej me mision në Donbas për llogari të agjencisë së fotogazetarisë Hans Lucas, me seli në Carcassonne.

Punimet e tij janë botuar në shumë media prestigjioze, mes tyre: Le Monde, Le Figaro, Libération, Mediapart, Der Spiegel, Zeit dhe Die Welt.