Një tragjedi ka ndodhur mbrëmë në Maqedoninë e Veriut, ku një automjet ka rënë në lumin Vardar, në rrugën Rashqe-Saraj. Sipas raporteve, tri gra kanë humbur jetën, ndërsa një fëmijë 4-vjeçar ka shpëtuar dhe është gjetur nga kalimtarë të rastit. Aktualisht, ende nuk është gjetur një person tjetër që ndodhej në veturë. Fëmija shpëtoi pa pasoja të rënda dhe po mbahet nën vëzhgim në spital, ndërsa gjendja e tij është stabile.

Operacioni i kërkim-shpëtimit është pezulluar përkohësisht për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme. Autoritetet dhe ekipet e shpëtimit janë ende në vendngjarje, duke ndërmarrë masat për largimin e makinës nga lumi dhe për gjetjen e personit të humbur.