Krishtlindjet janë kremtuar me shumë devotshmëri dhe atmosferë festive në disa qytete të Shqipërisë, duke sjellë një bashkim të qytetarëve dhe vizitorëve për të festuar këtë ditë të shenjtë. Në Korçë, qyteti ka qenë i mbushur me atmosferën magjike të festës, ku qytetarët dhe vizitorët nga jashtë janë bashkuar për të marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit.” Ceremonia u udhëhoq nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, i cili në mesazhin e tij theksoi harmoninë, dashurinë dhe tolerancën mes njerëzve. Pas përfundimit të meshës, qytetarët pritet të vazhdojnë festimet në rrethin familjar, ndërsa shumë nga bashkatdhetarët që jetojnë në Greqi janë kthyer në atdhe për të festuar Krishtlindjet.
Në Durrës, besimtarët janë mbledhur për të marrë pjesë në shërbimet fetare të Krishtlindjeve. Mbrëmjen e djeshme, shumë qytetarë morën pjesë në meshën kushtuar lindjes së Krishtit, ndërsa në mëngjes, besimtarët ortodoksë morën pjesë në meshën e mbajtur në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”. Ata u lutën për paqe dhe mirësi mes njerëzve dhe shpërndanë urime për një vit të mbarë dhe të bekuar.
Në Vlorë, besimtarët ortodoksë kanë kremtuar Krishtlindjet me shumë devotshmëri në Kishën e Shën Theodhorit. Prifti At Kostandini udhëhoqi liturgjinë dhe u tha besimtarëve se Krishtlindjet janë një mundësi për të theksuar rëndësinë e dashurisë dhe solidaritetit në këtë periudhë të vitit. Ai gjithashtu u lut për paqe dhe prosperitet për çdo familje dhe për qytetin e Vlorës. Pjesëmarrësit ndanë momente gëzimi dhe reflektimi, duke ruajtur traditat e lashta të Kishës Ortodokse dhe duke kremtuar së bashku me të afërmit dhe miqtë.
Në Lezhë, mesha e Krishtlindjeve u mbajt në Katedralen e Shën Nikollit, ku qindra besimtarë morën pjesë në ritualin fetar. Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Monsinjor Otavio Vitale, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e Krishtlindjeve si një mundësi për të forcuar dashurinë mes njerëzve, duke i bërë thirrje besimtarëve të tregojnë më shumë solidaritet në këtë periudhë të vështirë që po kalon njerëzimi për shkak të luftërave dhe krizave në disa vende të botës. Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë përgjegjësi dhe shërbim nga qeveritarët, duke iu kërkuar që të mos shohin veten si zotërinj, por si shërbëtorë të popullit. Festimet e Krishtlindjeve në Lezhë kanë pasur një pjesëmarrje të lartë dhe atmosfera festive ka mbizotëruar edhe jashtë katedrales, ku besimtarët kanë ndarë urime për paqe dhe begati. Kisha Shën Jozefi në Fushë Arrëz dhe Katedralja Nënë Tereza në Vau të Dejës u mbushën me besimtarë që kremtuan Krishtlindjet me lutje për paqe dhe dashuri. Frat Andreas Valterman dhe Ipeshkvi Monsinjor Simon Kulli theksuan rëndësinë e Krishtlindjeve si dritë shprese dhe thirrje për drejtësi dhe paqe në botë.
Në të gjitha këto qytete, Krishtlindjet kanë qenë një mundësi për të forcuar lidhjet shpirtërore, për të reflektuar mbi dashurinë dhe solidaritetin dhe për të kremtuar traditat fetare që kalojnë brezat. Festimet kanë sjellë gjithashtu një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse, e cila ka mbushur qytetet me gëzim dhe harmonizim.



















