Kriza
Ekonomia e eurozonës do të pakësohet më shumë nga sa pritej këtë vit, ndërsa Franca do të hyjë në recesion, bën të ditur një raport i rëndësishëm i Komisionit Europian. Komisioni parashikon që eurozona do të reduktohet si ekonomi me 0.4 për qind këtë vit, më shumë se sa parashikimi i mëparshëm për rënie me 0.3 për qind. Franca do të hyjë në recesion. Papunësia pritet të rritet në këtë vend në 10.9 për qind më 2012-n nga 10.6 për qind që pritet për këtë vit.
Të enjten, Banka Qendrore Europiane uli interesin bazë si pasojë e shqetësimeve për ecuri të keqe të ekonomisë.
“Në mbyllje të krizës së thellë ekonomike dhe financiare, ekonomia e BE-së do të përmirësohet këtë vit, por vetëm shumë ngadalë”, tha raporti. Komisioni parashikon që deficiti i Francës do të rritet me shpejtësi nga 3.9 për qind e PBB-së këtë vit, në 4.2 në vitin 2014. Kjo bëri që komisioneri i BE-së për çështje ekonomike, Olli Rehn, të deklarojë se mund të jetë e “arsyeshme” t’i jepet Francës edhe dy vite kohë për të realizuar objektivin për deficit jo më të lartë se 3 për qind. Gjithsesi, “Reuters” raportoi se një zyrtar francez deklaroi se vendi i tij do të respektojë arritjen e objektivit për deficit 3 për qind brenda vitit 2014.
Papunësia në eurozonë pritet të arrijë në 12.2 për qind këtë vit nga 11.4 për qind që ishte më 2012-n. Greqia dhe Spanja pritet e shënojnë kulmin në masën 27 për qind.
Rehn tha se “për shkak të recesionit të zgjatur, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të kapërcyer krizën e papunësisë”. Por ai shtoi se PBB-ja e eurozonës mund të rritet me 1.2 për qind në vitin 2014. Ka thirrje në rritje nga disa vende për të lehtësuar masat e kursimit, për shkak të rritjes së lartë të papunësisë.