Parisi po përgatitet për një mbrëmje me masa të shtuara sigurie përpara çerekfinales së Kupës së Botës mes Francës dhe Marokut. Autoritetet franceze e kanë cilësuar sfidën si me rrezik të lartë, duke vendosur një plan të posaçëm për të parandaluar trazirat dhe incidentet në rrugët e kryeqytetit.
Sipas Le Parisien, Prefektura e Policisë ka autorizuar përdorimin e dronëve të sigurisë për monitorimin e qytetit gjatë mbrëmjes, ndërsa dekreti për masat e jashtëzakonshme do të hyjë në fuqi nga ora 21:00, një orë përpara nisjes së ndeshjes. Autoritetet kanë ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve, ndërsa Champs-Élysées, zona ku në të kaluarën kanë ndodhur përplasje dhe akte vandalizmi gjatë festimeve sportive, do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë. Disa biznese kanë vendosur barriera mbrojtëse në vitrinat e tyre për të shmangur dëmtimet ose plaçkitjet.
Gjithashtu, do të mbyllen disa stacione metroje pranë Champs-Élysées për të kufizuar grumbullimet e tifozëve. Kufizimet do të prekin edhe disa stacione të linjave 6, 8, 9, 12 dhe 14. Masat e forta të sigurisë lidhen edhe me precedentët e mëparshëm. Pas fitores së Francës ndaj Marokut në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022 në Katar, në të gjithë Francën u arrestuan mbi 260 persona, ndërsa vetëm në Paris u regjistruan 167 arrestime.
Komuniteti maroken në rajonin metropolitian të Parisit numëron rreth 300 mijë banorë, ndërsa në të gjithë Francën jetojnë rreth 2.2 milionë persona me origjinë marokene. Për këtë arsye, autoritetet franceze kanë marrë masa të gjera për të garantuar rendin publik dhe për të shmangur përsëritjen e incidenteve të viteve të kaluara./ Top Channel
