protokolli france-shqiperiNumri i shtetasve shqiptarë që rezultojnë me qëndrim të paligjshëm, apo që kryejnë veprimtari të jashtëligjshme në Francë që nga vera e vitit të kaluar, është rritur ndjeshëm.


Këtë fakt e ka konfirmuar ambasadorja e Francës në Tiranë, Kristinë Moro gjatë nënshkrimit të protokollit me Ministrinë e Brendshme për ripranimin e personave me qëndrim të paligjshëm.


Ministri i Brendshëm Flamur Noka pas nënshkrimit të këtij protokolli u shpreh se Shqipëria është e angazhuar të respektojë lirinë e lëvizjes së lirë në zonën Shengen dhe për këtë qëllim është shteti i parë në rajon që nënshkruan një marrëveshje të tillë.


“Në këtë kuadër, Shqipëria mbetet vendi i parë në rajon që ka nënshkruar marrëveshje ripranimi me vendet e hapësirës Shengen. Pra mbetet vendi i parë që ka nënshkruar një marrëveshje të tilla duke marrë përsipër me shpenzimet e saj kthimin e cdo abuzuesi me kriteret e azil-kërkimit. Ne mbetemi të angazhuar në mbrojtjen e kësaj arritje madhore për shqiptarët sic është lëvizja e lirë në hapësirën Shengen”, tha ministri Noka.


Ambasadorja Moro, duke konstatuar problematikën me shtetasit shqiptarë, u shpreh e bindur se autoritetet e dy vendeve nuk do të lejojnë që një pakicë të rrezikojnë lëvizjen e lirë të shumicës së shqiptarëve.

8 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)