Ndërtimi i kampit të emigrantëve Afrikanë në Gjadër të Lezhës, ka sjellë një situatë të pazakonshme, disa ditë më pare, kur policia e Kufirit në Durrës, zbuloi në një furgon aparatura përgjimi, kufje, GPS-a, pinca, kaçavida dhe tela.

Përtej debateve politike në dy vendet Itali-Shqipëri, tashmë kampi i Gjadrit është kthyer një vend brenda tokës Shqiptare, që ngre dyshime të forta për cënimin e sigurisë Kombëtare.

Autoritete të huaja hyjnë dhe dalin me paisje përgjimi në teritorin Shqiptar dhe askush nuk i kontrollon. Shqipëria, të duket si një “han pa porta”, ku nga pikat kufitare të saj individë të ndryshëm me misione shtetërore apo private, depërtojnë paisje të sofistikuara të inteligjencës dhe askush nuk mundet ti kontrollojë dhe verifikojë.

Rasti i fundit është shënuar disa ditë më parë në Portin e Durrësit, ku një furgon është ndaluar pasi brenda tij, policia kufitare zbuloi se brenda tij kishte paisje përgjimi, GPS-a, kufje, pinca, tela etj.

Sipas burimeve të gazetarit Elton Qyno, furgoni i ndaluar ka hyrë në teritorin Shqiptar një ditë para se të ndalohej. Hyrja e tij, është kryer përmes portit të Durrësit, në të njëjtën ditë kur në Shqipëri ka hyrë grupi prej 50 karabinierë që shërbejnë pranë kampit të emigrantëve Afrikanë në Gjadër.

Në hyrje mësohet se furgoni nuk ka pasur problem dhe besohet se nuk është kontrolluar nga policia kufitare. Ndërsa një ditë më pas, i njëjti furgon me dy oficerë të “Guardia Di Finanza” dhe një person tjetër, është shfaqur në portin e Durrësit për tu kthyer në Itali.

Policia e kufirit, ka ushtruar kontroll tek mjeti dhe për pasojë janë zbuluar paisjet. Tashmë çështja në fjalë është rregjistruar si dosje penale në prokurorinë e Durrësit.

Por rasti në fjalë është i mbuluar nga misteri, pasi nuk dihet me saktësi se sa kohë kanë qëndruar pajisjet përgjuese në Shqipëri dhe për çfarë qëllimi janë futur në territorin tonë.

Njëherësh janë ngritur pikëpyetje që paisjet përgjuese kanë shërbyer dhe janë vënë në funksion vetëm në teritorin italian të kampit të Gjadrit apo janë nxjerrë jashtë tij për qëllime operative përgjimi.

Tashmë dy oficerët e Guardia Di Finanza dhe personi i tretë janë lënë të lirë për tu kthyer në Itali. Ndërsa paisjet dhe logjistika e përgjimit është sekuestruar dhe pritet të kryehen veprime të tjera hetimore.