Reforma
Dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë nëpër qytetet kryesore të Francës kundër planeve për të legalizuar martesat brenda seksit dhe për t’i lejuar çiftet gej të adoptojnë fëmijë. Policia tha se 70 mijë vetë dolën nëpër rrugët e Parisit, ndërsa protesta të mëdha u organizuan edhe në Lion, Tuluzë apo Marsejë.
Protestuesit qenë nga grupimet katolike apo mbështetës të tjerë të familjes tradicionale. Presidenti Francois Hollande ka premtuar të ndryshojë ligjin në Francë për t’u dhënë çifteve gej dhe lesbike të martohen.
Pavarësisht kundërshtimit nga më shumë se 1 mijë kryebashkiakë, si dhe Kishës Katolike, qeveria e tij socialiste miratoi një ligj mbi këtë çështje më herët këtë muaj, ligj që do të diskutohet në Parlament në janar. Franca sakaq lejon bashkimet civile mes çifteve të të njëjtit seks, por zgjerimi i të drejtave të tyre ka qenë një premtim elektoral i Hollande para se ai të zgjidhej në maj.
Protestuesit në Paris veshën bluza rozë dhe shaje, si dhe valëvitën tullumbace rozë ku qenë stampuar imazhe të familjes tradicionale, një burrë, një grua dhe fëmijët e tyre.
Gjatë ditës së djeshme u organizuan edhe kundërprotesta në mbështetje të martesave brenda seksit.
“Një fëmijë ka nevojë për një baba dhe për një nënë dhe ky ligji i propozuar mund ta ndryshojë këtë”, tha një nga protestueset. “Kjo është mënyra se si janë gjërat dhe ne nuk mund të shkojmë kundër natyrës”.
Kjo është çështja më e debatueshme e axhendës së Hollande. Kreu i Këshillit Francez të priftërinjve katolikë, kardinali Andre Vingt-Trois, e cilësoi së fundmi martesën brenda gjinisë si “e keqja finale”. Aktualisht, në Francë vetëm çiftet e martuara dhe jo partnerët në bashkëjetesë kanë të drejtë të adoptojnë. Një numër vendesh europiane, përfshirë Gjermaninë, Suedinë dhe Britaninë e Madhe e lejojnë sakaq adaptimin e fëmijëve nga çiftet gej.