Reagime ndaj hetimit të ish-presidentit karizmatik. E ardhmja e tij politike, e mbyllur!


sarcozyRikthimi politik i ish-presidentit francez, Nikolas Sarkozi, në zyrën më të lartë në vend, vihet në pikëpyetje nga shumë francezë, pas intervistës që dha dje ish-presidenti francez për një stacion televiziv vendas, në një përpjekje të re për të mbrojtur veten nga akuzat e bëra tashmë ditë më parë, se ai ishte përpjekur të pengonte një hetim kundër tij. Në intervistën e parë televizive, që nga largimi i tij nga posti i Presidentit në vitin 2012, Nikolas Sarkozi, theksoi se sistemi ligjor po keqpërdoret për qëllime politike. Ish-presidenti karizamtik francez, dyshohet se ka përdorur ndikimin e tij për të penguar një hetim për korrupsion, i cili lidhet me fushatën e tij elektorale të vitit 2007. Sipas shumë analistëve vendorë, mediat vlerësojnë se tashmë hetimi i fundit ligjor ndaj partisë kryesore opozitare në Francë, “Lëvizja Unioni Popullor” (UMP), nën dyshimet për mashtrime financiare, ka ndikuar shumë mbi partinë e ish-presidentit Sarkozi, duke mos i lënë atij praktikisht asnjë hapësirë për rikthim real në politikë. Shumë qytetarë, megjithatë mendojnë se Sarkozi nuk është as më i mirë e as më i keq se politikanët e tjerë, duke shtuar se hetimet ndaj tij, janë një tjetër shenjë e politikës së sëmurë franceze. Ish-presidenti, që humbi imunitetin për shkak të ndjekjes penale, vetëm një muaj pasi la postin e lartë shtetëror, në qershor të vitit 2012, është përballur me disa probleme ligjore dhe ishte objekt i një hetimi gjyqësor në vitin 2013, i cili më vonë, gjithsesi, u pezullua. Janë të paktën gjashtë çështje ligjore, përfshirë edhe rastin aktual, që rëndojnë pozitat e Nikolas Sarkozisë dhe partisë së tij konservatore, tashmë e përçarë, duke e vënë në pikëpyetje të madhe aftësinë e tij për një rikthim politik në zgjedhjet e vitit 2017.