Përpara derës së Gjykatës Kushtetuese po vendoset një banderolë e madhe “Drejtësi për masakrën e Peshkëpisë.” Në të shkruhen emrat e Fatmir Shehut dhe Arsen Gjinit, të cilësuar si “Dëshmorë të Atdheut”, ndërsa në fund emri i Fredi Belerit si i akuzuar.

Historia e masakrës së Peshkëpisë nis në 1994, ku mbeti i vrarë roja dhe komandanti i këtij reparti dhe u plagosën katër ushtarakë të tjerë. Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u sulmua më datë 10 prill të vitit 1994, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Organizata terroriste greke “Mavi”, kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, në Postën Kufitare të Peshkëpisë, ku ishin rreth 130 rekrutë që nuk u ishin besuar armë akoma. Për çudi ato ditë dhe rojet e postës ishin pa fishekë.

Ata vranë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosën ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi. Arsen Gjini u qëllua i pari gjatë këtij sulmi, duke mbetur i vrarë. Më pas, autorët mësynë brenda godinës dykatëshe duke hyrë në fjetinën ku ndodheshin rekrutët dhe në depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Gjatë sulmit, ata morën peng edhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar, Qemal Strokën, i cili më pas u la i lirë në kufi.

Autoritete greke ndalojnë më 18 mars të vitit 1995, 7 të dyshuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë. Ata sapo kishin dështuar për të sulmuar postën kufitare të Llongos. Të arrestuarve iu gjetën edhe armët e municionet e rrëmbyera në Postën Kufitare të Peshkëpisë.

Të ndaluarit e komandës së ashtuquajtur “Pirro i Parë”, ishin: Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar, Fredi Beleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo, 26 vjeç, Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjirokastrës. Shqiptarja.com rikthen edhe njëherë videon e momentit të arrestimit të Fredi Belerit në 1995 në Janinë së bashku me grupin “Mavi”.