Eurodeputeti i Demokracisë së Re Fredi Beleri, ka tërhequr deklaratën e tij të bërë pak ditë më parë për Ilias Kasidiaris, ish-deputetin e Agimit të Artë. Ky i fundit më 15 shtator doli nga burgu pas vuajtjes së një pjese të dënimit prej 13 vitesh dhe ka paralajmëruar rikthimin e tij në politikë.

Disa ditë përpara lirimit të tij, Beleri tha në një intervistë në televizionin ONE se Kasidiaris ishte një nga të paktët grekë që e bëri burgun deri në ditën e fundit. Kjo frazë e Belerit shkaktoi reagimin e partisë më të madhe opozitare PASOK, që kërkoi nga qeveria dhe Demokracia e Re të distancoheshin qartë nga deklarata e eurodeputetit.

Pas reagimeve që shkaktuan bujë në Greqi, Beleri bëri një sqarim publik, ku pranoi se formulimi i tij kishte qenë i gabuar dhe e korrigjoi atë duke e cilësuar formulimin “të pavend”. Në reagimin e tij, Beleri theksoi se nuk ka asnjë lidhje me Ilias Kasidiarisin dhe me atë që ai përfaqëson politikisht.

Beleri akuzoi gjithashtu PASOK-un se kishte shkëputur një pjesë të deklaratës së tij nga konteksti dhe tha se qëndrimi i tij ndaj demokracisë, institucioneve dhe shtetit të së drejtës është i qartë. Eurodeputeti i Demokracisë së Re tha ndër të tjera se partia e tij ishte ajo që, sipas tij, përballoi institucionalisht Agimin e Artë dhe e çoi çështjen deri në drejtësi, duke theksuar se nuk mund të ketë asnjë ekuivok për qëndrimin e tij ndaj organizatës.

Ilias Kasidiaris ka qenë një nga figurat më të njohura të Agimit të Artë dhe u dënua si udhëheqës në një organizatë kriminale. Edhe gjatë viteve të burgimit ai ruajti një prani të fortë politike dhe në rrjetet sociale, ndërsa pas lirimit të tij ka bërë të qartë se synon të rikthehet në skenën politike.