Pas disa dekadash qetësie, Izraeli dyshon se zona kufitare mund të kthehet në fushëbetejë
Shpatet e lartësive Golan me lulet e veta të egra pranverore janë të mbushura me tanke të vjetër dhe të ndryshkur, të cilët kanë mbetur aty që nga lufta e vitit 1973. Për dekada, fronti mes Izraelit dhe Sirisë ka qenë i qetë, por jo më.
Disa pozicione izraelite vrojtimi që qenë braktisur prej vitesh, tashmë janë rikthyer në funksion dhe forcat speciale kanë zëvendësuar rezervistët.
Izraeli është i shqetësuar se Golan, të cilën e pushtoi nga Siria më 1967-n, do të bëhet zona e sulmeve mbi izraelitët nga luftëtarët xhihadistë, të cilët po marrin pjesë në luftën civile kundër Presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad.
Gjatë muajve të fundit, betejat mes besnikëve të Asadit dhe rebelëve, kanë dëmtuar disa fshatra në kodrat në anën siriane të Golanit, ndërsa predha mortaje kanë kaluar kufirin në territorin e pushtuar nga Izraeli.
Izraeli ka kthyer zjarr në disa nga incidentet dhe beson se rreth një në çdo dhjetë luftëtarë mes rebelëve është radikal suni. “Tensioni në Golan është në nivelin më të lartë që nga viti 1974”, tha një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite. “Ne thjesht nuk e dimë se kush e kontrollon territorin përtej kufirit.”
Ndërsa rënia e Asadit mund të jetë në interes të shtetit të Izraelit, pasi ky është aleat i armikut Iran, rënia e Sirisë në kaos mund të krijojë një sfidë akoma më të madhe sigurie.
Rreth 20 mijë kolonë izraelitë jetojnë në Golan dhe rrafshnaltën strategjike që mbikëqyr qytetet izraelite në zonën e Detit të Galilesë. Në kufijtë e jugut, Izraeli përballet me sulme me raketa amatore nga grupimet palestineze në Rripin e Gazës dhe së fundmi është shqetësuar nga fuqizimi i islamikëve në Egjipt.
Një gjeneral izraelit, komandant i forcave të veriut, ngriti propozimin për të krijuar një zonë të ndërmjetme me ndihmën e luftëtarëve rebelë joxhihadistë në kufirin me Sirinë. Por Izraeli ka një histori të tillë kur u përpoq të krijonte një zonë sigurie në Libanin e jugut, ndërsa e gjeti veten duke funksionuar si një forcë pushtimi në përballje të përhershme me luftëtarët vendës për më shumë se një dekadë. Dhe një nismë e tillë është tepër e kushtueshme për një vend të vogël si Izraeli. Një diplomat izraelit, Alon Liel, i cili udhëhoqi bisedimet sekrete për paqe me Sirinë, thotë se kësaj here për Tel Avivin nuk ka shumë mundësi manovrimi. “Izraeli është paralizuar nga perspektiva diplomatike”, tha ai. “Ne mund të jemi të fortë ushtarakisht, por çdo ndërhyrje në një vend fqinj do të tërheqë kundërshtime të ashpra nga të gjitha anët, për shkak se Izraeli është shumë i dobët në diplomacinë e rajonit.”
Tani, përveç kësaj, frika është që në Golan do të ketë terrorizëm në një të ardhme të afërt pas plot 40 vjetësh qetësie. Izraeli po ndërton ndërkohë një mur pesë metra të lartë në Golan, pranë një muri që sakaq është ndërtuar më herët, për një gjatësi prej 70 kilometrash.