Kallëzimi


Gjyqtari i Gjykatës së Kavajës u akuzua edhe nga ministrat Tahiri dhe Naço


Osman AliuInspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka kallëzuar në Prokurori gjyqtarin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Kavajë, Osman Aliu, për deklarim të rremë pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Osman Aliu, i njohur si gjyqtari “bamirës”, ishte denoncuar më parë nga ministri i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë, pasi dyshohej se kishte liruar disa të arrestuar, duke shkelur rëndë ligjin.


Deklarata


Në njoftimin e publikuar në faqen e tij zyrtare, ILDKPKI-ja bën me dije se në deklaratën e pasurisë së Osman Aliut ka konstatuar fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta, dhe pa burime të ligjshme, 2009 – 2013, jashtë Shqipërisë, deklarime të rreme për huamarrje, huadhënie dhe dhurata me qëllim justifikimin e pasurive të vëna në kundërshtim me ligjin etj. Gjithashtu, ILDKPKI-ja në njoftimin e saj bën me dije se do të njoftojë menjëherë ministrin e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore edhe për sjelljen rrugaçërore të gjyqtarit Osman Aliu, sot (dje) në ambientet e inspektoratit. Sipas inspektoratit, gjyqtari Aliu jo vetëm refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e plotë, por edhe u largua dhunshëm e duke i fyer ata gjatë kryerjes së detyrës. Gjithashtu, Inspektorati i Pasurive, bën me dije se gjatë këtyre ditëve dhe pas rakordimit të punës për dorëzimin në afat të deklaratave të interesave private, vijon të konstatojë zyrtarë të niveleve të ndryshme drejtues, të cilët pa shkaqe ligjore të arsyeshme nuk dorëzojnë në afat deklaratën e interesave private. Në këto kushte, inspektori i përgjithshëm, vendosi masën administrative “gjobë” për 9 subjektet deklaruese, të cilët sipas tij, nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private dhe që janë gjobitur me nga 100 mijë lekë të reja. Konkretisht, bëhet fjalë për: Haneme Mata, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik nr. 1, Tiranë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Arben Sinoimeri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik nr. 4, Tiranë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Enis Hoxha, me detyrë këshilltar pranë Kuvendit të Shqipërisë; Spiro Cura, me detyrë këshilltar pranë Kuvendit të Shqipërisë; Eva Kushova (Xhuli), me detyrë këshilltar pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Manjola Gjoni, me detyrë drejtor i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Mario Kalus, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Vlorë, Ministria e Mjedisit; Arsen Selimi, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Korçë, Ministria e Mjedisit; Gjergji Mërkuri, me detyrë kryeinspektor i Degës Rajonale të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave Vlorë, Ministria e Mjedisit;


Gjyqtari Aliu


Gjyqtari Osman Aliu ishte një ndër emrat e gjyqtarëve që iu dërguan Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ku më datë 28 mars të këtij viti, Tahiri kërkoi hetim dhe nisjen e procedimit disiplinor ndaj tij. Sipas Tahirit merrte vendime të dyshimta gjatë ushtrimit të detyrës, ku përmes këtyre vendimeve kanë përfituar 9 persona të proceduar penalisht, të cilët kanë fituar lirinë nga Aliu. Një muaj pas kësaj kërkese të Tahirit, do të ishte ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili më datë 21 prill kërkoi që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të procedonte gjyqtarin Osman Aliu, pasi janë gjetur shkelje në vendimet e tij. Sipas raportit të inspektimit ndaj gjyqtarit Aliu, Ministria e Drejtësisë konstatoi se gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, ka kryer shkelje të rënda të ligjit.