Policia në Tiranë ka arrestuar një 44-vjeçar, i cili dyshohet se mbante të fshehur në banesë një armë zjarri dhe municion.

Gjatë kontrollit në ambientet e banimit, efektivët kanë sekuestruar pistoletën dhe municionin përkatës, ndërsa materialet i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, si rezultat i administrimit të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje, finalizuan operacionin e koduar “Indicia”, gjatë të cilit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi D. V., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli në banesën e tij, në rrugën “Kolë Koçi”, u gjetën të fshehura 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.