Autoritetet italiane vijojnë hetimet për vdekjen e 46-vjeçarit shqiptar Arbeni.K, i cili humbi jetën gjatë një tentative grabitjeje në një vilë në kodrat e Arezzos, në zonën Gorello di Policiano.

Sipas hetimeve paraprake të Karabinierëve, Arbeni u plagos për vdekje teksa po përpiqej të arratisej duke kapërcyer gardhin rrethues të pronës. Ai dyshohet se u ngul në një shtyllë metalike të gardhit, pjesërisht të elektrizuar për të mbajtur larg derrat e egër dhe kafshët e tjera, duke pësuar një dëmtim të rëndë në zonën e femurit. Plaga shkaktoi një hemorragji masive që rezultoi fatale brenda pak minutash por do jetë autopsia ajo që do përcaktojë saktësisht rrethanat e vdekjes së tij.

Hetuesit kanë përjashtuar, të paktën në këtë fazë, çdo lidhje të drejtpërdrejtë mes vdekjes së 46-vjeçarit dhe të shtënave paralajmëruese në ajër nga kunati 75-vjeçar i pronares së vilës, një avokat me armë në posedim të ligjshëm. Ai dyshohet se ka qëlluar për të trembur hajdutët. Një ekspertizë balistike do të përcaktojë kohën e saktë të të shtënave dhe nëse ato kanë ndodhur gjatë arratisjes apo pasi autorët ishin zbuluar.

Sipas rindërtimit fillestar, grupi i grabitësve besohet se kishte ardhur nga rajoni i Lazios, duke përdorur autostradën dhe më pas rrugë dytësore për të arritur në zonën e Arezzos. Hetuesit dyshojnë se synimi ishte kryerja e disa grabitjeve në të njëjtën zonë përpara kthimit në Lazio. Para ngjarjes, ishin raportuar edhe të paktën dy tentativa të tjera të dyshimta vjedhjeje në kodrat e Policanos.

Arbeni rezulton të ketë qenë banor i paligjshëm në Itali dhe me precedentë penalë për krime kundër pronës. Deri më tani, nuk është identifikuar një adresë e saktë ku ai qëndronte.

Hetimi po koordinohet nga prokurorja publike Angela Masiello dhe po ndiqet nga Karabinierët, të cilët po vijojnë me marrjen në pyetje të personave të përfshirë dhe me mbledhjen e provave për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Aktualisht nuk ka persona nën hetim për këtë rast.