Durrës
Një furgon fëmijësh u përplas mëngjesin e djeshëm me trenin e linjës Durrës-Tiranë, në një nga mbikalimet e kthyer në mollë sherri mes Bashkisë së Durrësit dhe Hekurudhave Shqiptare. Dëmet në jetë njerëzore fatmirësisht munguan, por alarmojnë sërish mbi rrezikun e lëvizjes në vendet ku shinat kryqëzohen me rrugët automobilistike. Drejtori i Infrastrukturës në Hekurudhën Shqiptare, Edmond Dobi, tha për gazetën se do të kërkohet nga Inspektorati Ndërtimor ta prishë kalesën në rrugën Dogana tokësore e Shkozetit-Plazh, ku ndodhi incidenti, sepse është e paligjshme. Incidenti regjistroi vetëm dëmtim të furgonit dhe asnjë lëndim njerëzor, falë shpejtësisë së ulët me të cilën lëviznin mjetet. Lidhur me kalesën ku ndodhi përplasja e radhës mes Drejtorisë së HSH-së dhe Bashkisë së Durrësit ekziston një korrespondencë institucionale mbi paligjshmërinë e saj, ndërsa trau i vendosur pas një investimi të bashkisë ka rënë pre e vjedhësve të skrapit. V. Q.
