Një shtetas shqiptar, 45 vjeç, i kërkuar ndërkombëtarisht prej vitit 2022 për veprimtari të lidhura me trafikun e drogës, është vënë në pranga në Tiranë, duke mbyllur një periudhë disa vjeçare arratie.

Sipas raportimeve të Corriere della Sera, arrestimi erdhi pas një bashkëpunimi të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane. Në operacion u përfshinë struktura të specializuara si Squadra Mobile e Venecias dhe Servizio Centrale Operativo (SCO), nën drejtimin e Prokurorisë së Venecias.

Nga hetimet rezulton se i dyshuari kishte qëndruar për një kohë në Dubai dhe vetëm së fundmi ishte rikthyer në Shqipëri. Gjurmimi i lëvizjeve të familjarëve të tij ndihmoi në lokalizimin e vendndodhjes, duke bërë të mundur ndërhyrjen e policisë në kryeqytet.

Autoritetet italiane e kishin dënuar më herët për përfshirje në një organizatë kriminale që operonte në rajonin e Venetos, me fokus shpërndarjen e kokainës, veçanërisht në zonën e Mestre. Sipas dosjes hetimore, ai kishte rol drejtues në këtë rrjet, duke organizuar furnizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike gjatë viteve 2019–2021.

Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga Interpol, duke e futur në listën e personave më të kërkuar për trafik droge.

Kapja e tij është pjesë e operacionit “Wanted”, një nismë e autoriteteve italiane që synon arrestimin e individëve me rrezikshmëri të lartë që i janë shmangur drejtësisë.