Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, po bën një ‘katarsis’ në kupolën e policisë, ndërsa vijon ndërtimin e stafit të tij të ri drejtues.

Ai u ka kërkuar dorëheqjen disa prej drejtuesve aktualë në qarqe.

Deri më tani, zyrtarisht kanë dhënë dorëheqjen dy oficerë karriere: drejtori i Lezhës, Islor Islami, dhe ai i Kukësit, Loard Sallaku. Në vijim priten edhe dorëheqje të tjera nga drejtues të policisë në qarqe.

Më të përfolurit për momentin për t’u dorëhequr janë drejtuesit në Berat dhe Dibër, por nuk përjashtohen edhe qarqet e tjera.

Me largimin e drejtuesve aktualë, Hita pritet të emërojë persona të besuar për të krijuar ekipin që do të drejtojë Policinë e Shtetit.

I pari që ka marrë këtë besim është Erjon Ahmeti, i cili është emëruar në krye të Policisë së Fierit. Fillimisht, ndryshimet kanë nisur me emërimin e zëvendësdrejtorëve të rinj në disa qarqe.