Diskutohen të gjitha mundësitë e daljes nga kriza


Rrallë ndonjëherë janë parë në këtë situatë dobësi dhe mungesë force nga liderët e botës, si në takimin e fundit të G8-s. Liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Rusisë, Kanadasë dhe Britanisë së Madhe u pritën nga Presidenti amerikan në Camp David, dy net më parë, në një takim që synon të farkëtojë një zgjidhje të përgjithshme për emergjencën, që ka përfshirë gjithë Eurozonën dhe që kërcënon ta zhysë sërish të gjithë botën në një krizë të re financiare. Në dritën e një mëdyshje të tillë, komisioneri europian i Tregtisë konfirmoi për herë të parë se institucionet europiane janë duke përgatitur plane për të përballur një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona. “Në Bankën Qendrore Europiane, si dhe në Komision po punohet në lidhje me skenarët e emergjencës për vendimin e Greqisë për të dalë nga Euroja”, deklaroi komisioneri i Tregtisë, Karel de Gucht, në një gazetë belge. Kjo duket se mund të ndodhë ndërkohë që Merkel, në një telefonatë që pati me Presidentin grek, Papulias, foli për mundësinë e mbajtjes së një referendumi për Euron në Greqi së bashku me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Më pas një lajm i tillë u hodh poshtë nga Berlini zyrtar edhe pse burimet nga ai doli ishin zyrtare. Një zëdhënës i qeverisë gjermane deklaroi se biseda mes Merkel dhe Papulias ishte konfidenciale, por lajmi për “referendumin” ishte “i pakujdesshëm”. E ndërkaq takimi i G8 në Meriland nisi në prag të një jave të një kaosi dhe trazire të tregjeve ndërkombëtare. Investitorët janë kapur nga paniku jo vetëm nga impakti potencialisht traumatik i ndonjë falimentimi të Greqisë, por edhe nga situata shumë e rëndë e sektorit bankar në një tjetër vend në krizë të thellë, në Spanjë. Banka Qendrore në Madrid deklaroi se përmasa e kredive të këqija në bankat spanjolle ka kapur rekordin e 8% në muajin mars. Qeveria e Madridit pritet që t’i kërkojë bankës amerikane, “Goldman Sachs” që të bëjë auditin e bankës “Bakia” që ndodhet në një moment shumë të vështirë aktualisht. Edhe 16 banka të tjera spanjolle u zhvlerësuan dy ditë më parë nga “Moody’s” dhe spekulimet po rriten në lidhje me mundësinë që qeveria spanjolle të kërkojë ndihmë për shpëtim financiar, pra një paketë të ngjashme me atë të Greqisë për të rikapitalizuar bankat e veta. Nga ambientet ku po zhvillohet Samiti i G8-s përfaqësuesit e BE-së dhe krerët e shteteve dhe të qeverive europiane u bënë thirrje liderëve të partive në Greqi që të respektojnë marrëveshjet me donatorët ndërkombëtarë. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso tha: “Ne nuk kemi komentuar ndonjëherë një plan B. Ne jemi duke punuar për planin A, i cili do të thotë që Greqia do të vazhdojë të mbetet në Eurozonë dhe Greqia do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj”. Kjo deklaratë e presidentit të Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso, kishte të bënte sidomos me një deklaratë të mëparshme të komisionerit të BE-së për Çështjet Tregtare, belgut Karel De Gucht, e cila kishte shkaktuar irritime. Karel De Gucht kishte thënë se BE-ja ka edhe skenarë në të cilët parashikohet dalja e Greqisë nga Eurozona. Ndërkohë mësohet se Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka pezulluar kontaktet e tij zyrtare me Athinën, deri në zgjedhjet parlamentare. Ekspertët e FMN-së do të kthehen në Greqi, vetëm pas 17 qershorit dhe nuk do të bashkëpunojnë me qeverinë kalimtare, bëri të ditur një zëdhënës në Uashington. Fondi Monetar është krahas BE-së paradhënësi më i rëndësishëm i vendit të zhytur thellë në borxhe. Në vitin 2010, FMN iu bashkua paketës së ndihmës për Greqinë me një kredi në vlerë 30 miliardë euro.