Komisioni i Ligjeve ka miratuar me 9 vota pro dhe 3 kundër një raport për t’i dërguar seancës plenare ku përfshihen gjashtë kandidatët që plotësojnë kriteret për t’u votuar për Avokat të Popullit.
Për më shumë se një orë komisioni u përfshi nga debatet pas vendimit të Partisë Demokratike për të tërhequr firmat për të gjithë kandidatët.
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja u shpreh se vullneti i demokratëve për të tërhequr firmat ka shkuar në protokollin e Kuvendit dhe do të jetë seanca e të enjtes që do të vendosë nëse do të pranohen dhe rihapet procesi, apo do të vijojë me zgjedhjen e një prej gjashtë emrave.
Debati
Manja: Ju i keni tërhequr firmat pas 2 dhjetorit. Nuk jam unë që e pranoj këtë, këtë e vlerëson seanca.
Strazimiri: Ti po i çon një gënjeshtër seancës, po i thua që kandidatët kanë edhe firmat tona.
Manja: Pse u tërhoqët nga firmat? Kot me e dit.
Strazimiri: Shko pyet Taulantin, se nuk ta paska treguar. Kujtoja se ishit bashkë.
Manja: Lëre Taulantin, por më thuaj pse u tërhoqët.
Strazimiri: Është fakt i vërtetetuar që kemi tërhequr firmat.
Manja: Unë nuk jam noter.
Strazimiri: Shto në raportin që do miratosh sot këtu që ne kemi tërhequr firmat.
Manja: Në raportin që do i çoj Kuvendit, do ta shkruaj dhe këtë. Do të them që në Komision, deputetët e opozitës ngritën faktin publik që kemi tërhequr mbështetjen për kandidatët. Seanca mund të më thotë mua që të rihap procedurën.
Emrat që shkojnë në seancë
Adriana Kalaja
Aranita Brahaj
Besim Ndregjoni
Skëndër Haluci
Taratar Bazaj
Endri Shabani
Top Channel
