Momente tensioni janë regjistruar në hyrje të Kuvendit, ku kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, u përball me efektivët e Gardës së Republikës, pasi tentoi të hynte në sallën e seancave, ndonëse ishte i përjashtuar nga punimet parlamentare.
Nga pamjet e publikuara, deputeti shihet duke kërkuar të kalojë drejt sallës, ndërsa punonjësit e Gardës i bllokojnë hyrjen duke i bërë të ditur se nuk mund të futet. Debati mes palëve u përshkallëzua, ndërsa më pas Shehaj u largua nga hyrja e Kuvendit nga efektivët.
Gjatë përplasjes verbale, kreu i Partisë “Mundësia” kundërshtoi veprimet e Gardës, duke kërkuar t’i vihej në dispozicion vendimi dhe urdhri mbi të cilin mbështetej ndalimi i tij.
“Nuk më prekni me dorë. Më tregoni urdhrin dhe vendimin mbi bazën e të cilit po më ndaloni. Ku është shkresa? Për këtë do të mbani përgjegjësi. Afati ka skaduar më 22 qershor. Asnjë punonjës sigurie nuk ka të drejtë të prekë një deputet. Si mund të më pengoni të hyj në Kuvend?”, dëgjohet të thotë Shehaj në videon e bërë publike.
