Në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) po zhvillohet sot dëgjesa publike që do të vendosë se kush do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ky proces është një nga vendimet më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe institucioneve, pasi drejtimi i SPAK-ut ka një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Në garë për këtë pozicion janë katër kandidatë me karrierë të gjatë në strukturat e prokurorisë: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Klodjan Braho dhe Elvin Gokaj. Secili prej tyre po paraqet para anëtarëve të KLP-së vizionin e tij për të ardhmen e SPAK-ut, duke përfshirë prioritetet që do të ndiqen, menaxhimin e çështjeve të ndjeshme dhe mënyrën se si do të përmirësohet puna e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dëgjesa publike shënon fazën përfundimtare të procesit, ndërsa vendimi pritet të merret pas vlerësimit të pikëzimeve dhe performancës së secilit prej kandidatëve. Interesi publik është i lartë, pasi drejtuesi i ri i SPAK do të ketë në duar çështje madhore të drejtësisë shqiptare dhe një mandat që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në besueshmërinë e institucioneve.

PROFILET
Adnan Xholi lindi në Dibër më 6 korrik 1975. Përfundoi studimet si jurist pranë Fakultetit të Drejtësisë. Ka marrë emërimin si prokuror më 6 janar 2004.

Ka pasur këto detyra:

01.05.1998-31.12.1999/ Oficer i Policisë Gjyqësore i Seksionit të Prokurorisë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tepelenë.

01.01.2000 – 31.12.2000/ Zëvendësdrejtues Prokurorie (Zv/Prokuror Rrethi), në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

01.01.2001-05.01.2004/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Janar 2004- Maj 2013/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Gusht 2012- Dhjetor 2012/ Drejtues i Komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Qershor 2013-2017/ Prokuror/Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

04.03.2015 – 28.09.2015/ Drejtues i Komanduar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranës.

2017 – 23.07.2021/ Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme/Prokuror.

23.07.2021 – aktualisht/ Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Doloreza Musabelliu u diplomua në vitin 2002 në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 2005 në Shkollën e Magjistraturës.

Ka pasur këto detyra:

11.10.2004 -19.12.2019/ Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda.

19.12.2019 – 31.01.2020/ Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (pas pushimit së ekzistuari të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda).

Nga 31 janari 2020 dhe aktualisht është prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Elvin Gokaj gjatë viteve 1994-1998, ka përfunduar studimet e larta të ciklit 4-vjeçar, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka marrë emërim si prokuror më 5 dhjetor 2000.

Ka pasur këto detyra:

2000-2007/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.

2007-2012/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

2013-2014/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

2014-2021/ Prokuror dhe drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Nga 13 dhjetori 2021 dhe aktualisht, Gokaj mban detyrën e Prokurorit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.

Ka pasur këto detyra:

14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).