Izraeli vijon bombardimet, thërret 75 mijë rezervistë nën armë


Izraeli bombardoi zyrat e qeverisë së Hamasit në Rripin e Gazës, duke përfshirë edhe selinë e Kryeministrit, ndërkohë që autorizoi thirrjen nën armë për 75 mijë rezervistë, një shenjë tjetër për një sulm të pritshëm tokësor kundër enklavës. Shpërthimet e bombave izraelite u dëgjuan përgjatë të gjithë ditës së shtunë, duke filluar nga mëngjesi herët. Por edhe Hamasi vijoi të hedhë raketa të precizonit të ulët drejt Izraelit në përpjekje për të treguar rezistencë.


Pavarësisht dhunës në rritje, ministri i Jashtëm i Tunizisë mbërriti në Gaza për të treguar solidaritet dhe për të denoncuar sulmet e Izraelit si jolegjitime dhe të papranueshme. Numri i viktimave mes palestinezëve ka kaluar në mbi 41, mes të cilëve, 20 ishin civilë, të vrarë rastësisht nga bombat izraelite. Pavarësisht qindra të ashtuquajturave raketa të hedhura nga Hamasi, gjatë dy ditëve të fundit nuk ka pasur viktima mes izraelitëve. Tri ditë më parë, një raketë vrau tre civilë izraelitë.


Ushtria e Izraelit ka njoftuar se ka goditur 180 objektiva brenda rripit të Gazës.


“Kjo që po bën Izraeli nuk është e ligjshme dhe as e pranueshme”, tha ministri i Jashtëm i Tunizisë, Rafik Abdesslem, pasi vizitoi zyrat e rrënuara të Hamasit. “Izraeli nuk duhet të ketë imunitet total dhe nuk mund të jetë mbi ligjin ndërkombëtar”, shtoi ai.


Izraeli e nisi fushatën e bombardimit ajror të mërkurën, me synimin e deklaruar për të shkatërruar aftësitë e Hamasit për të hedhur raketa. Hamasi kësaj here lëshoi edhe tri raketa drejt Tel Avivit, kryeqendrës tregtare të Izraelit. Por këto raketa nuk shkaktuan asnjë dëm.


Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman, i tha medias vendase se sulmi mbi Gaza “do të vijojë për sa kohë të jetë e nevojshme”.


Hamasi e ka sunduar Rripin e Gazës që nga viti 2007. Izraeli ka tërhequr vendbanimet e veta që nga viti 2005 nga kjo enklavë, por ka vendosur një bllokadë mbi territorin, duke mos lejuar furnizim të rregullt me asgjë përveç ushqimeve bazë.


Ushtria izraelite njoftoi dje se tre ushtarë të saj qenë plagosur lehtë nga zjarri që erdhi nga Gaza. Izraeli ka thirrur sakaq 16 mijë rezervistë dhe i ka përgatitur për një sulm tokësor. Sipas tyre, rreth 368 raketa janë hedhur nga Gaza gjatë ditëve të fundit dhe 222 prej tyre janë goditur në ajër nga sistemi antiraketor. Egjipti është angazhuar ndërkohë për të arritur një marrëveshje armëpushimi.