Territori i Shqipërisë gjatë fundjavës do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.

Sinoptikania Elida Maloçali, në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Top Channel, tregoi se si do të jetë moti për fundjavën.

Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 26–27 gradë Celsius, ndërsa era do të jetë e lehtë, rreth 5 m/s. Në det, valëzimi parashikohet 1–2 ballë.

Megjithatë, duke nisur nga e hëna, vendi ynë pritet të përfshihet nga ndryshime të motit, me rikthim të reshjeve të shiut. Në ultësirën perëndimore parashikohen edhe shtrëngata lokale të hënën dhe të mërkurën.

Ndërkohë, temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, duke zbritur në 24–25 gradë Celsius në disa zona të vendit.