Abdullah Xhabir, një shtetas palestinas shqipfolës që ndodhet në Palestinë ka folur sot për gjendjen ne Gaza, pas tërheqjes së trupave izraelite dhe nisjes së armëpushimit.

Në një intervistë për “Breaking” në Top News, ai tha se situata është më e mirë për shkak se nuk ka më sulme, por Gaza është e shkatërruar. Ai shtoi se palestinezët prej dy vitesh nuk kanë furnizim me energji elektrike, ujë apo edhe ilaçe.

“Situata tashmë është disi më e mirë. Godinat dhe banesat janë shkatërruar, njerëzit vinë dhe nuk i gjejnë shtëpitë e tyre. Gaza tashmë prej dy vitesh nuk ka furnizim me energji elektrike. Marrim drita vetëm nëse gjejmë një gjenerator. Kështu është dhe për ilaçet dhe për ujin. Kanë vdekur mijëra njerëz, e janë plagosur po kaq. 2.3 milionë njerëz jetojnë në kushte të mjerueshme.

Gaza është e ndarë në 3 zona, zona e kuqe, e verdhe dhe një tjetër. Izraeli është larguar nga zona e verdhë. Por 70% e territorit të Gazës është ende e pushtuar. Për momentin po dëgjohen krisma. Tashmë po vinë palestinezët që kanë qenë të burgosur prej vitesh në Izrael dhe po festojnë duke qëlluar me armë.”- tha ai.