SPAK ka dhënë detaje në lidhje me mega-operacionin e zhvilluar ditën e sotme në Elbasan dhe në Tiranë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, janë lëshuar gjithsej 21 urdhër-arreste, nga të cilat për 18 persona është caktuar masa e sigurisë arrest me burg. Mes tyre, raportohet se janë dhe dy ish-gjyqtarët Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu, e po ashtu, edhe një zyrtar i lartë i policisë së shtetit.
Nga ana tjetër, SPAK konfirmon edhe masën e sigurisë për dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, për të cilët është caktuar masa “Detyrim Paraqitje”. Hoxha akuzohet për pjesëmarje në organizatë kriminale, teksa Qyno për korrupsion pasiv në privat. Ndërkohë, “Arrest shtëpie” është firmosur për avokaten e grupit të Suel Çelës, Blerina Beqiri.
Operacioni mësohet se është zhvilluar pas hetimeve në vijim, për bisedat e bandave kriminale në aplikacionin “Sky Ecc”.
Njoftimi i SPAK:
Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:
Arrest me burg – 18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);
Arrest në shtëpi – 1 avokat;
Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore – 2 gazetarë.
Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.
Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme.