Një gazetar ka rënë pre e një sulmi fizik mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës. Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Ervin Dushi ka depozituar një kallëzim në komisariat, ku deklaron se rreth orës 20:00 është sulmuar me grushte nga disa persona në lagjen “Skënderbeg”.

Policia e Shtetit bën me dije se ka nisur menjëherë hetimet dhe ka arritur të identifikojë njërin prej autorëve të dyshuar, Prek Gjoni. Aktualisht po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e bashkëautorëve të tjerë në këtë konflikt.

Njoftimi i policisë:

“Shkodër/ Informacion paraprak Në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi E. D., gazetar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave, shtetasit P. Gj., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt dhe shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Shkodër. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.”, njofton policia.