Homazhet në nderim të gazetarit Enrik Mehmeti po zhvillohen në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Në ceremoninë e homazheve ka marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të gazetarit të ndjerë. Pas daljes nga ambientet e teatrit, Rama u ka përcjellë gjithashtu ngushëllimet gazetarëve për humbjen e kolegut të tyre.

Lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të Enrik Mehmetit në moshën 40-vjeçare tronditi opinionin publik mbrëmjen e së shtunës.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, gazetari humbi jetën pas një aksidenti me një mjet me katër rrota në zonën e plazhit të Porto Novës në Zvërnec. Dyshohet se gjatë lëvizjes ai ka humbur kontrollin e mjetit, i cili më pas është përmbysur disa herë.

Enrik Mehmeti la pas një karrierë mbi 20-vjeçare në gazetari, duke u bërë një nga zërat më të njohur të qytetit të Vlorës. Ai raportoi për ngjarje të rëndësishme në politikë, kronikë, kulturë dhe sport, duke sjellë në vëmendje edhe problemet e përditshme të qytetarëve.

Rrugëtimi i tij në media nisi që në fëmijëri. Gjatë trazirave të vitit 1997, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai u angazhua me përkthime në kampin e operacionit “Alba”, ku forcat italiane kishin ardhur në Shqipëri për të ndihmuar në rikthimin e stabilitetit.

Më pas, ai u përfshi në raportime nga terreni dhe ndërtoi një karrierë të gjatë, duke fituar besimin e publikut dhe kolegëve në qytetin bregdetar.