Lufta civile
Opozita publikon video që tregon përdorimin e armëve kimike nga qeveria e Assad
Aktivistët e opozitës në Siri publikuan një video për të cilën thonë se paraqet gaz klorinë të përhapur në rrugët e një fshati, pamjet e para të tilla për një armë tjetër kimike që dyshohet se po përdoret nga ushtria e Bashar al-Assad.
Fshati i Kfar Zeita, në provincën qendrore të Hamas, rreth 200 kilometra larg Damaskut, ka qenë epiqendra e asaj që aktivistët dhe mjekët e quajnë: një sulm dymujor gjatë së cilit kanoçet me gaz klorinë janë hedhur nga helikopterët.
Damasku mohon që forcat besnike ndaj Assad të kenë përdorur klorinë apo gazra të tjerë më helmues dhe akuzuan se të gjitha sulmet kimike janë kryer nga rebelët.
Teksti shoqërues i videos të publikuar dje thotë se ajo është filmuar të martën në fshatin Kfar Zeita nga Komisioni i Përgjithshëm i Revolucionit, një grup i opozitës. Ajo tregon gazin e gjelbër në të verdhë në një rrugë. Një burrë largohet me nxitim nga shtëllunga e gazit bashkë me një grua që ka mbuluar gojën me një rrobë. Një burrë tjetër me veshje kamuflazhi dhe që ka një maskë gazi thërret për një makinë që të ndihmojë gruan. Një zë jashtë kamerës thotë: “Është gaz klorinë. Tym i verdhë”.
Videoja nuk është e konfirmuar sa i përket autenticitetit.
Një fotograf i agjencisë Reuters mbërriti në vendin e ngjarjes një orë pas sulmit. “Era e klorinës qe e dukshme. Ajo ka erën e uthullës. Unë fillova të kollitem, më digjnin sytë”, tha ai.
Një nga fotot e tij tregoi gruan që po largohet nga shtëllunga e gazit në video. Ajo po ndihmohet me maskë oksigjeni në një spital fushor. Fotoreporteri tha se kishte 70 njerëz të plagosur. Ata që qenë më pranë pikës së bombardimit ranë në gjendje të fikëti.
Ka patur disa dhjetëra raporte për sulme me gaz klorinë në Siri që nga prilli. Sulmi duket se ndodhi në të njëjtën ditë kur Rusia dhe Kina vunë veton në një rezolutë për t’ia referuar situatën e Sirisë Gjykatës Ndërkombëtare Penale për hetim të mundshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Assad ra dakord me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë vitin e kaluar të dorëzojë armët e veta kimike. Klorina është mijëra herë më pak vdekjeprurës sesa sarina, por përdorimi i këtij gazi si armë është sërish ilegal. Ekzistenca e tij mund të përbëjë gjithashtu shkelje të marrëveshjes së çarmatimit kimik, pasi Siria nuk e deklaroi klorinën si pjesë të arsenalit të vet.