Dy shtetase kineze kanë përfunduar në prangat e policisë, të dyshuara për ushtrim dhe shfrytëzim prostitucioni në një ambient të marrë me qira në qytetin e Fierit.

Arrestimet u kryen në flagrancë në kuadër të operacionit policor të koduar “ESKOR-GIRIS-5”.

Sipas njoftimit të Policisë, dy shtetaset kineze, Zhang Yongzhong Ling, 52 vjeçe, dhe Qiaorong Honghua Rui, 47 vjeçe, dyshohet se në bashkëpunim me njëra-tjetrën kishin marrë me qira një lokal në Fier, të cilin e përdornin për ushtrimin e veprimtarisë së prostitucionit dhe shfrytëzimin e saj.

Në kuadër të këtij operacioni, policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Fierit edhe për tre shtetas të tjerë, me inicialet M.A., K.P. dhe Xh.S., banues në Novoselë të Vlorës, Daullas dhe Hoxhar të Fierit, për veprën penale të prostitucionit.

Gjatë kontrolleve, uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjashtë telefona celularë, 300 euro dhe 35.000 lekë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.