Procedimi 1327: Policët ndoqën autorët vetëm 100 metra, më pas u lodhën


Nezir dhe Gentian Beqiri, atë e bir, u vranë 10 metra larg dy punonjësve të policisë, të cilët fillimisht njohën autorët dhe më pas ndryshuan dëshminë në gjykatë, duke pohuar se u ka humbur memoria. Vrasja makabre e 15 gushtit vijon ende të hetohet nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa të dyshuarit kanë alibi të forta se nuk kanë qenë në vendin e krimit. Gazeta “Shqip” ka siguruar një pjesë të kësaj dosjeje, e cila ndodhet nën hetim, ku detajohet kryesisht vrasja dhe largimi i autorëve të dyshuar.


Procedimi penal


Në datë 16 gusht, Prokuroria e Elbasanit ka filluar procedimin penal nr. 1327 për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim në ngarkim të shtetasve Florenc Çapja, Arben Jaçe, Nehat Budani dhe Sami Derstila. Nga hetimi rezulton se me vendimin nr. 38, datë 27 janar 2006, Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e arrestit në burg për shtetasin Ardian Mera (Gentian Beqiri), i dyshuar për vrasjen me paramendim të shtetasit Sokol Çapja. Gjatë gjykimit të çështjes së tij, më datë 12 prill 2012, Gjykata e Elbasanit ka konstatuar shuarjen e masës së arrestit dhe i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Është urdhëruar që Gentian Beqiri të mos largohet nga banesa e zgjedhur prej tij, ndodhur në lagjen Çlirimi, dhe e ka ndaluar të komunikojë me persona të tjerë, veç atyre me të cilët bashkëjeton. Njëkohësisht gjykata ka urdhëruar Komisariatin e Policisë Elbasan të ruajë banesën e zgjedhur nga Gentiani. Mësohet se në zbatim të urdhrave të vendimit, Komisariati i Policisë së Elbasanit, duke filluar nga prilli i këtij viti, ka ruajtur banesën e Beqirit. Në datën 15 gusht, rreth orës 05:30, shërbimin për ruajtjen e të pandehurit e kanë marrë policët Nehat Budani e Sami Derstila. Ata kanë verifikuar fillimisht duke u futur në banesë, se i pandehuri gjendej në shtëpi. Pasi kanë dalë, dera e banesës është mbyllur nga i ati, Nezir Beqiri. Më pas, rreth orës 07:00 kanë zbritur në sheshin para pallatit dhe kanë riparkuar makinat e tyre për të mos penguar trafikun. Kur ndodheshin ende në sheshin para pallatit, kanë parë të dalë nga hyrja të ëmën e të pandehurit, e cila u ka thënë se do të shkonte të bënte disa pazare dhe kur të kthehej do t’u bënte edhe ndonjë kafe. Pas bisedës me të, janë ngjitur për të shkuar në vendin e shërbimit. Ata janë ulur në sheshpushimin e shkallëve të ndodhura ndërmjet katit të katërt dhe katit të pestë, ku prindërit e të pandehurit kishin vendosur dy karrige.


 


Vrasja e dyfishtë


Rreth orës 09:10 minuta janë ngjitur për në katin e pestë dy persona të panjohur për policët. Kur kanë kaluar në sheshpushimin ku qëndronin policët, njëri nga personat i ka përshëndetur. Punonjësit e policisë nuk i kanë pyetur se ku do të shkonin. Polici Sami Derstila ka parë se personat janë drejtuar për në hyrjen e apartamentit të pandehurit, ka dëgjuar trokitjen në derën e këtij apartamenti dhe hapjen e derës. Nuk ka vënë re se prej kujt është hapur dera. Pas rreth 10 minutash punonjësit e policisë kanë dëgjuar sërish hapjen e derës së apartamentit dhe kanë parë dy personat që po zbrisnin shkallët. Pasi kanë kaluar policët, personat kanë nxituar hapat dhe për këtë shkak ata kanë dyshuar. Samiu i ka thënë Nehatit të shikonte dy personat se përse po ecnin me nxitim dhe vetë është ngjitur në katin e pestë. Ka trokitur në banesë, po nuk i është përgjigjur askush. Në këto rrethana ka ulur dorezën, pasi dera ishte e pambyllur, dhe është futur në banesë. Në korridor ka parë të shtrirë të atin e të pandehurit dhe në krevatin e Gentianit, ku e kishte parë ndërsa ka marrë shërbimin, ka parë të mbuluar me gjak këtë të fundit. Më pas ka konstatuar se Gentiani kishte vdekur dhe është munduar të flasë me të atin e tij, që fliste përçart. Derstila i ka thirrur Nehatit të ndiqte dy personat, të cilët në këtë kohë largoheshin me vrap në drejtim të stacionit të autobusit. Nehati ka vrapuar në drejtim të personave dhe ka lajmëruar sallën operative. Pas 100 metrave ka ndaluar, pasi ka humbur kontrollin. Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe ka çuar në spital të atin e Gentianit.


 


Hetimet


Në banesë janë gjetur katër gëzhoja. Nga këqyrja e kufomës rezultoi se ai ishte qëlluar tri herë në kokë. Ndërkohë, nga këqyrja e kufomës së Nezir Beqirit janë vërejtur dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, si në fytyrë, krahë e gjoks. Më pas dy punonjësit e policisë, Sami Derstila dhe Nehat Budani janë pyetur. Ata kanë dhënë karakteristika fizike të të dyshuarve dhe kanë pohuar se po t’i shohin janë në gjendje t’i njohin. Policia e Elbasanit ka marrë 16 fotografi dhe ua ka paraqitur punonjësve të policisë. Polici Nehat Budani ka njohur një nga personat që dyshohej për vrasjen e Gentian Beqirit e Nezir Beqirit (personat që kish parë të futeshin në banesën e tyre në mëngjes) shtetasin Florenc Çapja, por s’ka njohur personin tjetër. Ndërkohë, rezulton se polici Sami Derstila ka njohur si një nga personat që dyshoheshin për vrasjen e dyfishtë shtetasin Arben Jaçe, por s’ka njohur personin tjetër. Personi Florenc Çapja nuk ka pranuar faktin që i atribuohet dhe ka deklaruar se një natë më parë, së bashku me xhaxhain kanë shkuar në Maqedoni. Personi nën hetim, Arben Jaçe, ka deklaruar se ka qenë në Tiranë, te dyqani i tij, madje ka edhe alibi se e kanë parë disa persona, të cilët kanë firmosur me akte noteriale se Jaçe ka qenë te lokali. Gjykata, duke u bazuar tek alibitë e personave nën hetim, caktoi masën 60 ditë burg për dy të arrestuarit. Red.Akt.


Dëshmia


Sami Derstila në gjykatë: U shokova, nuk mbaj mend asgjë


“Kam marrë shërbimin në orën 05:30. Shkova te vendi i shërbimit dhe mora në dorëzim personin, duke u futur bashkë me policin tjetër në ambientet e banesës. Bashkë me të ndodhej nëna dhe babai i tij. Pasi zbritëm dhe parkuam makinat, pamë se u futën në hyrjen e pallatit dy persona. Ne nuk komunikuam fare me ta dhe nuk i pamë se në ç’banesë u futën. U ngjitëm lart, ishim ndërmjet sheshpushimit të katit të katërt dhe të pestë. Pas rreth 10 minutash zbresin dy djemtë dhe te shkallët e katit të katërt kam dëgjuar zhurma të shpejtë hapash. Aty dyshova dhe shkova menjëherë në banesën e Gentianit dhe i rashë derës, por nuk e hapi askush dhe as nuk u përgjigj njeri. Ula dorezën, dera ishte hapur, pashë viktimën dhe që nga ai moment e deri te dhomat e izolimit nuk mbaj mend asgjë. Edhe pistoletën nuk e mbaj mend kujt ia dhashë, nuk mbaj mend edhe se çfarë kam deklaruar në polici. Nuk kam gjë për të shtuar”.