Policia ka intensifikuar kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të atentatit ku mbeti i vrarë Selami Hasani dhe u plagos rëndë vëllai i tij.
Në kuadër të hetimeve, në dalje të qytetit të Fierit është zbuluar një automjet i djegur, për të cilin dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët për t’u larguar pas krimit.
Grupet hetimore po kryejnë këqyrjen e mjetit dhe po kërkojnë prova materiale që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë në ngjarje.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë dislokuar në zonë dhe po zhvillojnë kontrolle intensive, por deri tani nuk është raportuar për identifikimin apo arrestimin e autorëve.
Policia ka rritur masat e sigurisë dhe po vijon krehjen e territorit për të zbuluar gjurmë të mundshme të personave të dyshuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:40 të mëngjesit të sotëm, në oborrin e banesës së Selami Hasanit, ku ai u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i tij mbeti i plagosur rëndë.
Viktima rezultonte me precedentë penalë. Ai ishte dënuar më parë me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur me nofkën “Ben Qimja”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të ngjarjes.
