Besard Pashkaj ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi ishte në kërkim prej 4 vitesh, i akuzuar për një plagosje të dyfishtë. 26-vjeçari akuzohet për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetasit në kërkim B. P., 26 vjeç, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njoftoi sot policia.

Pashkaj ishte shpallur në kërkim për plagosjen e dyfishtë në korrik të vitit 2021. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur pranë “Qyteti Studenti”, ku pasi një konflikti të çastit në rrugën “Todi Shkurti”, disa të rinj u përplasën fizikisht e më pas sherri agravoi deri në përdorimin e armëve. 

Në këtë ngjarje, 26-vjeçari bashkë më dy të tjerë Aldo Gjini dhe Njazi Kulla, lanë të plagosur Altin Gjokën dhe Jetmir Marashin. Shkak dyshohet se u bë një prekje mes makinave që ata drejtonin. Asokohe në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjete, njëri prej të cilëve ishte “Audi” në përdorim nga autori i ngjarjes.