Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ku një i mitur ka humbur jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnate, kur 17-vjeçari Leandro Shametaj po udhëtonte me motorin e tij “Trinity” pas përfundimit të turnit të dytë në një lokal, ku punonte si kamerier. Leandro po kthehej në shtëpi për të siguruar të ardhurat për familjen, kur udhëtimi i tij fatkeq ka marrë fund në mënyrë tragjike.
Gjyshi i Leandros ka shkuar në morg për të tërhequr trupin e pajetë të nipit, duke shprehur dhimbjen e tij të thellë. Ai e kujton të riun si një djalë që punonte pa u ndalur për të ndihmuar familjen. “E vranë në rrugë… Ai ishte vetëm 17 vjeç,” ka deklaruar ai mes lotësh.
Ngjarja ka tronditur edhe komunitetin e shkollës ku Leandro ndiqte mësimet. Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit kanë vendosur një pankartë jashtë shkollës me mesazhin “Gëzo me engjëjt, Leandro”, duke i shprehur ngushëllime dhe lamtumirë shokut të tyre të dashur.

