Policia arreston të dyshuarit Besnik Gjoka dhe Gjovalin Gjergji. U zbuluan nga celulari i vjedhur
Ardian Bushi
Rreth një vit e gjysmë pasi ka ndodhur grabitja dhe dhunimi i një bariu, policia ka mundur të zbardhë ngjarjen e rëndë dhe të vendosë në pranga dy autorët e dyshuar të saj. Policia e Kurbinit tha se arrestoi Besnik Gjokën dhe Gjovalin Gjergjin, të cilët dy vite më parë dyshohet se kanë lidhur dhe më pas grabitur një bari në fshatin Rrajë e Pashës të këtij rrethi. Dy të arrestuarit kanë dalë para gjykatës, duke u njohur edhe me akuzën, ndërsa për zbulimin e tyre janë përdoruar metoda speciale të policisë, të cilat dërguan në zbulimin e tyre.
Grabitja
Sipas organit të akuzës, “me datë 8.12.2011, rreth orës 00:00, Zylfi Lamallari ka qenë duke fjetur në dhomë, në afërsi të stallës së bagëtive. Besnik Gjoka dhe Gjovalin Gjergji kanë hyrë me dhunë në dhomë dhe pasi kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, duke e lidhur këmbë e duar, i kanë vjedhur rreth 10 mijë lekë të reja, si dhe një celular “Nokia”. Bariu, pas largimit të dy grabitësve, ka mundur të zgjidhet dhe të kërkojë ndihmë te pronari i ndërtesës, ku ai flinte dhe mbante bagëtinë, Aleksandër Laska, i cili ka njoftuar edhe policinë. Sipas akuzës, pas marrjes së njoftimit, Policia e Kurbinit, së bashku me ekspertët, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në fshatin Rrajë e Pashës, ku edhe kishte ndodhur grabitja dhe gjatë marrjes në pyetje dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes është kontrolluar një jorgan dhe një jastëk me ngjyrë të bardhë. Në jastëk janë gjetur njolla gjaku që i kishin rrjedhur nga keqtrajtimi bariut Zylfi Lamallari. Viktima e grabitjes kishte dëmtime në kokë, trup dhe te këmbët.
Dëshmia
Bariu i dhunuar dhe i grabitur ka shpjeguar edhe momentet e grabitjes: “Dy persona të paidentifikuar kanë shqyer derën ku unë flija dhe pasi më kanë goditur me mjete të forta, më kanë lidhur me rripin e pantallonave këmbë e duar, duke më kërcënuar se nëse nuk u jepja lekët, do të më vrisnin. Më kanë goditur me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke më marrë 10 mijë lekë dhe celularin”, ka shpjeguar ai para oficerit të policisë gjyqësore. Bazuar në të dhënat e siguruara, Policia e Kurbinit ka nisur hetimet, ku me anë të metodave speciale ka mundur të gjejë personin që kishte blerë celularin e vjedhur e më pas ka mundur të zbulojë edhe dy identitetet e grabitësve, të cilët janë arrestuar dy ditë më parë. Ata janë Besnik Gjoka, 29 vjeç nga fshati Zall–Xhuxhë i Mirditës dhe Gjovalin Gjergji, 25 vjeç, nga fshati Sarriç i Pukës. Pas arrestimit, ata kanë dalë para Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, duke u njohur me masën e arrestit, e cila është “burg pa afat” për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.