Tezja e Daorsa Spahijas, studentes së mjekësisë që dyshohet se u vetëvra në Tetovë, ka hedhur akuza të rënda ndaj të dashurit të saj. Në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria Live”, ajo ka deklaruar se vajza ishte viktimë e dhunës psikologjike dhe xhelozisë së partnerit të saj, dhe se nuk e beson se Daorsa ka kryer vetëvrasje.
Sipas tezës, viktima ka vuajtur për një kohë të gjatë nga presioni emocional i lidhjes së saj dhe ka qenë e detyruar të përballonte një situatë të mbyllur dhe të pasigurt. Hetimet për rrethanat e ngjarjes vazhdojnë, ndërkohë që familjarët kërkojnë drejtësi për humbjen tragjike të vajzës së re.
“Sipas familjarëve, dyshojmë se Daorsa është vrarë dhe nuk ka qenë vendimi i saj për vetëvrasje. Ajo ka menduar të vazhdonte me doktoraturën në Tiranë, por është vrarë. Hevzi Sejdiu, i dashuri i saj, e ka vrarë, dhe ai është prezantuar në familjen tonë. Dyshojmë se ajo ka pasur kërcënime dhe kemi prova dhe dëshmi që ka qenë nën presion psikologjik. Ai e ka kërcënuar me fjalët “ti nuk guxon të më lësh.” Ne nuk e dinim që ai kishte fëmijë dhe grua, por pas vdekjes morëm vesh se ai kishte një vajzë dhe që nuk kishte partnerë. Ne e dimë vetëm për këtë vajzë dhe që ata ishin në lidhje prej dy vitesh. Ai më ka bllokuar mua në telefon dhe Daorsës, pasi isha kundër lidhjes dhe i kam thënë asaj se lidhja duhet të ndalej. Ai e xhelozonte dhe e ndante nga shoqet, duke e penguar.
Thonë se ajo është vrarë sepse, në muajin gusht, kur Daorsa u nda nga ai, gjyshja e saj e ka thirrur dhe i ka thënë se duhet të ndahet, por ai ka thënë “ose gjallë ose vdekur, ajo nuk do të ndahet nga unë.” Ai është kryesori që ka kontribuar në këtë gjendje që Daorsa ka përfunduar. Nuk e dimë ku ndodhet ai tani. Nuk kemi raport mjekësor as informacion për telefonin e Daorsës. Ata na thanë se do të na japin informacion kur hetimi të përfundojë. Prej Kosovës dhe Maqedonisë, do të marrim masa. Institucionet e Kosovës na kanë premtuar se do të na ndihmojnë, por mediat janë të heshtura për këtë ngjarje. Pas vdekjes së Daorsës, ne morëm vesh se kishte një biznes dhe hotel familjar. Kam pyetur disa herë për të, por nuk kam marrë asnjë informacion në lidhje me familjen e tij. Edhe shoqja e Daorsës e ka fshehur, dhe kur e ka kontaktuar, ajo nuk ka dhënë asnjë informacion. Shoqja e Daorsës është iniciatorja e njohjes, ajo ishte personi që e prezantoi, dhe ai është nga Kumanova. Ajo e ka njoftuar dhe e ka fshehur. Si familjarë, kemi marrë komente kërcënuese në rrjete sociale dhe e di që janë nga ata, dhe do të luftojmë që rasti i Daorsës të dalë në dritë. Ai kërcënon dhe përdor komente përmes Arberit (shoku i Daorsës).”, tha tezja e Daorsës.
