Një grup shtetasish shqiptarë janë ndaluar nga autoritetet britanike pasi mbërritën me një jaht në brigjet e Clacton-on-Sea, zonë që përfaqësohet në Parlament nga Nigel Farage.
Sipas National Crime Agency (NCA), operacioni u zhvillua më 1 korrik, pasi një jaht u pa duke zbritur disa persona në bregdet pranë Clacton. Pas ndërhyrjes së policisë, u arrestuan dy shtetas polakë, 25 dhe 41 vjeç, të dyshuar për lehtësim të emigracionit të paligjshëm.
Më pas, në det u arrestua edhe një shtetas italian 45-vjeçar, ndërsa një shtetas shqiptar 57-vjeçar vijon të mbahet në paraburgim, gjithashtu nën dyshimin për përfshirje në të njëjtën veprimtari.
Autoritetet britanike bënë të ditur se gjashtë personat që ndodheshin në bordin e jahtit janë ndaluar për shkelje të ligjeve të emigracionit. Një zëdhënës i NCA-së konfirmoi për Top Channel se të gjashtë janë shtetas shqiptarë.
Rasti vjen pak ditë pasi media britanike Daily Mail publikoi një artikull mbi një metodë të re të kalimit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku emigrantët transportohen me jahte nga Belgjika dhe Holanda drejt marinave private në brigjet angleze.
Sipas raportimit, në rrjetin social TikTok janë shfaqur reklama që ofrojnë kalimin me jaht drejt Anglisë kundrejt një pagese prej rreth 13 mijë paundësh për person.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje debatin mbi emigracionin e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, një çështje për të cilën Nigel Farage ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim kritik gjatë viteve.
