Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka nisur sot mbledhjen për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ky proces ka ngjallur interes të madh, pasi pozita e kreut të SPAK është shumë e rëndësishme për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
Në garë për këtë post janë katër kandidatë: Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho. Çdo kandidat ka paraqitur platformën e tij për drejtimin e SPAK, duke përfshirë strategjitë dhe qëllimet për forcimin e mëtejshëm të strukturës dhe përballimin e sfidave të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Elvin Gogaj është i treti në radhë që ka prezantuar platformën e tij. Ai theksoi se, në rast të zgjedhjes si kreu i SPAK, do të fokusohet në disa shtylla kryesore, që përfshijnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e efikasitetit në ndjekjen e dosjeve të rëndësishme dhe rritjen e transparencës në punën e SPAK. Gogaj theksoi se, për të arritur këto qëllime, do të kërkohet një qasje më e hapur dhe më e koordinuar me agjencitë e tjera të drejtësisë dhe institucionet ndërkombëtare.
“Platforma ime bazohet në një përvojë profesionale 26-vjevcare në fushën e drejtësisë. Qendroj para jush jo për një detyrë por për të marrë një përgjegjësi.
Veprimtari ime do të bazohet në “luftën e pandërprerë në luftën ndaj korrupsionit dhe luftës së organizuar, konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme, ndërtimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtar dhe forcimi I besimit të publikut. Këto përbëjnë thelbin e qasjes sime dhe përfaqësojnë angazhimin tim për të drejtuar këtë institucion drejt pjekjes së mëtejshme. Drejtimi i ri i SPAK do të nisë me një analizë të përgjithshme në mënyrë që ndërhyrjet të jenë efektive”, tha ai.
PROFIL
Elvin Gokaj gjatë viteve 1994-1998, ka përfunduar studimet e larta të ciklit 4-vjeçar, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka marrë emërim si prokuror më 5 dhjetor 2000.
Ka pasur këto detyra:
2000-2007/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.
2007-2012/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
2013-2014/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
2014-2021/ Prokuror dhe drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.
Nga 13 dhjetori 2021 dhe aktualisht, Gokaj mban detyrën e Prokurorit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
