Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi sot një takim me Presidentin e Dytë të Parlamentit të Austrisë, Peter Haubner.
Diskutuam mbi marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Austrisë, si edhe mbështetja austriake për integrimin europian të vendit.
Gjekmarkaj ngriti shqetësimet për situatën politike pas zgjedhjeve të 11 majit, duke përmendur problematikat e evidentuara në raportin e OSBE/ODIHR dhe sfidat që, sipas tij, po cenojnë standardet demokratike në Shqipëri.
Ai theksoi gjithashtu se opozita shqiptare do të vijojë të denoncojë çdo perceptim për drejtësi selektive dhe pengim të pluralizmit politik.
“Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim me z. Peter Haubner, President i Dytë i Parlamentit të Austrisë, me të cilin ndamë vlerësime për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Shpreha mirënjohjen për rolin historik që Austria ka luajtur ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga kontributi në albanologji, mbështetja për proceset kombëtare shqiptare dhe pavarësinë, deri tek ndihma e vyer gjatë tranzicionit demokratik dhe mbështetja e pakursyer për integrimin europian të Shqipërisë.
Gjatë bisedës ngrita shqetësimin për situatën politike dhe standardet demokratike në vend pas zgjedhjeve të 11 majit. Nënvizova problematikat e evidentuara në raportin e OSCE/ODIHR, përfshirë unifikimin e partisë me shtetin, përdorimin e administratës dhe të burimeve shtetërore në funksion elektoral, si dhe pengesat ligjore e politike të krijuara ndaj opozitës gjatë vitit zgjedhor.
Po ashtu, shpreha shqetësimin për arrestimin dhe izolimin për 333 ditë të liderit të opozitës, z. Sali Berisha, një akt që ka krijuar perceptimin e një goditjeje politike ndaj opozitës dhe ka cenuar standardet e garës demokratike.
Theksova se çdo perceptim për drejtësi selektive apo pengim të saj përbën një rrezik serioz për shtetin e së drejtës, për demokracinë funksionale dhe për vetë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Opozita shqiptare po e thyen dita-ditës murin e izolimit të ndërtuar përmes lobimeve të pandershme dhe përpjekjeve për ta paraqitur në mënyrë të deformuar realitetin politik shqiptar para partnerëve ndërkombëtarë. E vërteta mbi gjendjen e demokracisë, pluralizmit dhe shtetit ligjor në Shqipëri nuk mund të fshihet.
Gjithashtu, përcolla përshëndetjet e përzemërta të z. Sali Berisha për z. Haubner dhe vlerësova miqësinë e gjatë mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Popullore Austriake, një marrëdhënie e ndërtuar ndër vite që nga koha e kancelarit Wolfgang Schüssel.
Shqipëria meriton zgjedhje të lira, institucione të pavarura dhe një drejtësi që i shërben qytetarëve e jo pushtetit politik”, shkruan Gjekmarkaj.
