Policia e Kosovës ka njoftuar se janë gjetur disa eshtra njeriu, që dyshohet të jenë të të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.
Mësohet se eshtrat u gjetën në varrezat e fshatit Hajvali të Prishtinës, pas gërmimeve me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas këtij institucioni, mbetjet mortore janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për ekzaminime dhe që punimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.
Gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, ndërsa mbi 1.500 vazhdojnë të jenë të zhdukur. Shumica e të vrarëve ishin civilë shqiptarë.
Kosova dhe Serbia patën arritur pajtueshmëri më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në mesin e zotimeve të bëra ishin: qasja e plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, gjithçka vazhdon të mbetet në letër, meqë asnjëra pikë nuk është zbatuar.