Policia ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm, kur 46-vjeçari Lulzim Visha u gjet i vrarë me armë zjarri në makinën e tij.
Sipas uniformave blu, brenda automjetit që u gjet i djegur në Zall Her, që i përkiste autorëve, është gjetur edhe arma e krimit. Po ashtu, gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.
Visha ishte postier në një postë private në Tiranë, dhe dyshohet se ishte nisur për në punë në momentin që është ekzekutuar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Dyshohet se ai është qëlluar me silenciator pasi banorët e zonës janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna. Ndërkohë në vendin e ngjarjes policia tha se janë gjetur 12 gëzhoja pistolete.
Njoftimi i policisë:
Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche” i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes.
Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët. Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.
Vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.